bird bird

Argumenti Ontologjik

Në vitin 1078, një prift i quajtur Anselmi i Kanterbërit e habiti botën duke argumentuar se, sikur vetëm e mundur të jetë që Zoti ekziston, atëherë vijimi logjik është që Zoti ekziston.

Argumenti i Anselmit u quajt argumenti ontologjik, argument ky që ka shkaktuar ndarje të thellë mes filozofëve që prej asaj kohe. Filozofi gjerman i shekullit të 19të, Artur Shopenhauer, e quajti “shaka të lezetshme” këtë argument. Por shume filozofë të shquar të shekullit të 20të, si Çarls Hartshorn, Norman Malkolm dhe Alvin Plantinga, mendojnë se ky është një argument i shëndoshë. Ja si qëndron…

Zoti mund të përkufizohet si një Qenie Maksimalisht e Madhe. Po të kishte diçka më e madhe se Zoti, atëherë ajo qenie do ishte Zoti!

Dhe, për të qenë maksimalisht e madhe, një Qenie Maksimalisht e Madhe do duhej të ishte e gjithëfuqishme… e gjithëdijshme… dhe moralisht e përsosur… në çdo botë të mundshme.

Botët e mundshme janë thjesht mënyrat si mund të kishte qenë bota. Të thuash se diçka ekziston në një botë të mundshme do të thotë thjesht se: po të kishte qenë e tillë bota, ajo gjë do të kishte ekzistuar.

Për shembull, edhe pse njëbrirëshit nuk ekzistojnë në botën reale, duket së paku e mundur që mund të kishin ekzistuar. Prandaj, ne mund të themi se njëbrirëshit ekzistojnë në ndonjë botë të Mundshme.

Nga ana tjetër, një beqar i martuar NUK ekziston në asnjë botë të mundshme, sepse ideja e një beqari të martuar është logjikisht e pakuptimtë. Nuk ka mundësi që të ekzistojë.

Pra, nëse është e mundur që një Qenie Maksimalisht e Madhe të ekzistojë, ne mund te themi që kjo qenie ekziston në një botë të Mundshme.

Por prit! Një Qenie Maksimalisht e Madhe nuk do ishte vërtet maksimalisht e madhe nëse do të ekzistonte vetëm në disa botë të mundshme. Që të jetë maksimalisht e madhe, ajo duhet të jetë e gjithëfuqishme, e gjithëdijshme dhe moralisht e përsosur në çdo botë të mundshme.

Mendoni për këtë: Nëse një Qenie Maksimalisht e Madhe ekziston në një botë të mundshme, atëherë ajo ekziston në çdo botë të mundshme. Dhe nëse ekziston në çdo botë të mundshme, atëherë ekziston edhe në botën reale. Kjo do të thotë se një Qenie Maksimalisht e Madhe ekziston vërtet.

Prandaj, ateisti duhet t’i qëndrojë idesë se Zoti jo vetëm që nuk ekziston, por edhe se është e pamundur të ekzistojë!

Ja një përmbledhje e Argumentit Ontologjik:

1. Ekziston mundësia që një Qenie Maksimalisht e Madhe të ekzistojë.

2. Një Qenie Maksimalisht e Madhe ekziston në ndonjë botë të mundshme.

3. Nëse një Qenie Maksimalisht e Madhe ekziston në ndonjë botë të mundshme, atëherë ajo ekziston në çdo botë të mundshme.

4. Nëse një Qenie Maksimalisht e Madhe ekziston në çdo botë të mundshme, atëherë ajo ekziston edhe në botën reale.

5. Një Qenie Maksimalisht e Madhe ekziston në botën reale.

6. Për pasojë, një Qenie Maksimalisht e Madhe ekziston.

Hapat nga 2 deri në 6 janë të qartë dhe gjerësisht të pakundërshtueshëm. Por çfarë mund të themi për pikën e parë? Është e qartë se, nëse mund të vërtetohet se ideja e Zotit është logjikisht e pakuptimtë, ky argument dështon.

Por a është absurde ideja e një Qenieje Maksimalisht të Madhe, në të njëjtin nivel si ideja e një beqari të martuar, një rrethi katror apo aromës së ngjyrës blu? Nuk duket se është ky rasti. Koncepti i një qenieje të gjithëfuqishme, të gjithëdijshme dhe moralisht të përsosur që ekziston në çdo botë të mundshme duket një ide përsosmërisht e kuptimtë.

Por a mund ta parodizojmë këtë argument dhe ta bëjmë funksional për gjithçka? Pse të mos themi se “Është logjikisht e mundur që një picë maksimalisht e madhe të ekzistojë, ndaj një picë e tillë EKZISTON”?

Mirëpo, ideja e një pice maksimalisht të madhe nuk është si ideja e një qenieje maksimalisht të madhe. Pikë së pari, nuk ka vlera maksimale të qenësishme që i bëjnë picat të mëdha. Gjithmonë mund të shtojmë më shumë speca për t’ia rritur madhësinë. Në fakt, as që është e qartë se çfarë cilësish e bëjnë të madhe një picë! Brumë i hollë apo brumë i trashë? Me shumë djathë? Me sardele? Gjithçka varet nga shijet e klientit.

Së dyti, një picë maksimalisht e madhe do të duhej të ekzistonte në çdo botë të mundshme. Por kjo do të thoshte se ajo nuk do të mund të hahej! Kështu që, nuk do të ishte një picë e vërtetë, sepse pica është diçka që hahet. Ideja e një pice maksimalisht të madhe del që nuk mund të ketë kuptim.

Nga ana tjetër, ideja e Zotit është një ide që me intuitë mund të kuptohet se ka kuptim. Prandaj, ekzistenca e Tij është një mundësi. Dhe Argumenti Ontologjik tregon se, nëse është e mundur që Zoti ekzistojë, atëherë Ai ekziston vërtet.